Lluka: Kosova e përkushtuar në zvogëlimin e konsumit të energjisë për 9% brenda vitit 2018

Prishtinë, 19.09.2018 - Ministria e Zhvillimit Ekonomik është duke i kushtuar vëmendje të shtuar çështjeve lidhur me efiçiencën e energjisë, për çka do të investohen rreth 80 milionë euro në periudhën afatmesme në bashkëpunim me donatorët dhe institucionet financiale, ka deklaruar Ministri Valdrin Lluka.

Këto komente kreu i MZHE-së i bëri në hapje të konferencës të Parë me Kryetarët e Komunave të Kosovës, që u bajt sot në Prishtinë, ku e pranishme ishte edhe Shefja e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Nataliya Apostolova, përfaqësuesit e Sekretariatit të Energjisë, kryetarë të komunave dhe zyrtarë të sektorit të energjisë, me ç’rast u inaugurua Karta e Energjisë e Kryetarëve të Komunave të Kosovës.

Ministri Lluka tha se Efiçienca e energjisë është investimi financiar më i mirë që një institucion mund të bëj, pasi që kthimi i investimit është pothuajse i garantuar dhe mund të parashikohet.

“Qeveria e Kosovës, duke kuptuar rëndësinë e Efiçiencës së Energjisë dhe Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë, ka zhvilluar strategji dhe programe gjithëpërfshirëse, siç janë Strategjia e Energjisë 20107-2026, pastaj Plani i Veprimit i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë 2010-2018, si dhe Plani i tretë afat-mesëm i Veprimit 2010-2018. Strategjia e Energjisë e Republikës së Kosovës 2017-2026 vendos objektivat e Qeverisë së Kosovës në zhvillimin e sektorit të energjisë.”, tha ai.

Ndër të tjera Ministri Lluka, theksoi se Komunat kanë një rol të rëndësishëm në Sektorin e Energjisë si dhe në arritjen a standardeve për Efiçiencë të Energjisë, sepse operojnë me një numër të madh të ndërtesave publike si shkollat, qendrat e mjekësisë familjare, ndërtesat e ndryshme administrative, si dhe ndriçimin publik.

Ai tha se Kosova, si nënshkruese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, është përcaktuar që të kontribuojë në arritjen e caqeve të Efiçiencës së Energjisë dhe është zotuar që të zbatojë kapitullin e energjisë për “acquis communautaire”, zvogëlimin e konsumit të energjisë për 9% brenda vitit 2018, prandaj, rritja e Efiçiencës së Energjisë është një synim i rëndësishëm për Kosovën.

Nga ana tjetër, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova tha se sektori i energjisë dhe reformat në këtë sektor mbesin prioritete kyçe të BE-së. “Sipas MSA-së, bashkëpunimi me Kosovën do të zhvillohet me synim të integrimit gradual në tregjet evropiane të energjisë. Efiçienca e Energjisë është thelb i këtyre reformave. Është një investim në të ardhmen në shumë aspekte: avancon sigurinë dhe fleksibilitetin, krijon vende të punës dhe përmirëson ambientin”, u shpreh Apostolova.

Në përmbyllje të konferencës u inaugurua Karta e Energjisë e Kryetarëve të Komunave të Kosovës, me nënshkrimin e së cilës, krerët e komunave u zotuan të përqendrojnë përpjekjet për të siguruar një të ardhme më të mirë dhe më të qëndrueshme energjetike në qytetet e tyre në të mirë të të gjithë qytetarëve.

njoftim-per-diskutim-publik

KOSOVO IN UNESCO