Haradinaj: S’ka krizë energjetike, çmimi i energjisë nuk do të rritet

Prishtinë, 24.01.2018 - Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka falënderuar Ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka dhe akrerët tjerë të sektorit të energjisë të angazhuar për të tejkaluar periudhën kritike sa i përket furnizimit me energji, ndërsa përjashtoi mundësinë e rritjes së çmimit të energjisë.
Këto komente Kryeministri Haradinaj i bëri gjatë konferencës së përbashkët për media me Ministrin Valdrin Lluka, gjatë vizitës që i bëri MZHE-së, ku zhvilloi takim edhe me drejtorë të Departamenteve dhe disa ndërmarrjeve publike, me të cilët bisedoi për punën dhe sfidat.

“Nuk ka qenë i lehtë ballafaqimi me gjendjen në sektorin e energjisë dhe impilikimet që ka pasur, por tani mund të konstatojmë se është kaluar ajo periudhë kritike dhe kemi hapur shumë tema tjera për vendin, si industria e minierave etj”, tha Haradinaj, duke shtuar se ndër temat kryesore ishte edhe sektori i ujërave, respektivisht trajtimi i ujërave të zeza, ku janë të involvuara Qeveria, ndërmarrjet rajonale të ujërave, komunat dhe donatorët e jashtëm.

Sa i përket mungesës së energjisë, Haradinaj tha se KEK aktualisht garanton se 83 për qind të nevojave për energji i ka nga prodhimi vendor dhe vetëm 17 për qind është import. “Jemi duke e përcjellë gjendjen me vëmendje, pse po ka këso ndërprerje për çka nganjëherë po ua lënë fajin edhe prishjeve teknike. E vërteta është se gjendja në energji është stabile me mundësi që mes të shkurtit të kemi 100 për qind furnizim me energji”, tha ai.

Nga ana e tij, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka bërë të ditur se Kryeministrin Haradinaj e ka informuar për disa punë më urgjente që ka Ministria e Zhvillimit Ekonomik, për zhvillimin e disa projekteve, krijimin e vlerave të reja të projekteve ekonomike në vend për të gjeneruar zhvillim ekonomik si dhe për të  krijuar vende të reja të punës.

"Ne kemi si fokus edhe më tej zhvillimin e sektorit energjetik për t’i plotësuar nevojat e konsumimit në vend. Po ashtu  me kryeministrin kemi diskutuar edhe për sektorin e minierave, zhvillimin e kësaj fushe si “Trepçën” si dhe hapjen e disa minierave për të krijuar edhe shumë aktivitetet ekonomike në këtë fushë”, tha Lluka.

Kreu i MZHE-së tha se është diskutuar edhe për sektorët e tjerë, të cilët i mbulon MZHE-së, pra ishte një takim i frytshëm dhe së shpejti do të ketë edhe vendime konkrete sidomos tash me nënshkrimin e udhëzimeve administrative për investime strategjike të cilin kryeministri sapo e ka përfunduar, udhëzim ky që hap derën për investime nga ana e investitorëve të huaj në Republikën e Kosovës.

Lluka falënderoi kryeministrin Haradinaj për mbështetjen që ka dhënë në realizimin e projekteve të cilat kanë zgjat vite të tëra.

KOSOVO IN UNESCO