Lluka: Krijimi i vendeve të punës patriotizmi më i madh

Prishtinë, 22.02.2018 - Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka deklaruar se nuk ka patriotizëm më të madh sesa hapja e vendeve të reja të punës, duke iu referuar suksesit të kompanisë gjermane-kosovare KiKxxl & evroTarget LLC, e cila nga Prishtina kryen shërbime për tregun e Gjermanisë.

Këto komente Lluka i bëri sot gjatë ceremonisë së inaugurimit të mjediseve të reja të punës, e cila aktualisht punëson rreth 120 kosovarë, kryesisht të rinj ndërsa së shpejti planifikon ta rrisë këtë numër në 200. “Me demarkacion vazhdojmë t’i dëshpërojmë qytetarët, por mirë që ekzistojnë ngjarje si kjo, që i japin shpresë vendit”, u shpreh Lluka, duke vlerësuar të arriturat e kësaj kompanie dhe kontributin e saj në rritjen e punësimit.

Kreu i MZHE-së vlerësoi lartë ndihmën që në vazhdimësi jep organizata gjermane GIZ, e cila ka mbështetur edhe këtë kompani. Ai tha se nuk paraqet sfidë gjetja e të rinjve që njohin gjuhët e huaja, të cilët falë kushteve që ofron kjo kompani vendosin të qëndrojnë këtu dhe ky është një model suksesi që duhet ndjekur.

Hamdi Malushaj, bashkëdrejtor i “evroTarget”, tha se ideja qe nga Prishtina të kryhen punë në tregun gjerman ka filluar 6 vite më pare, ndërsa sot janë kompani që kanë  konkurrencë në regjion.

Andreas Kremer, drejtor i “KiKxxl”, është shprehur i kënaqur me kualitetin e punëtorëve në Kosovë, duke shtuar se numri actual prej 120 punëtorëve do të rritet në 200.

njoftim-per-diskutim-publik

KOSOVO IN UNESCO