Lluka: Masat e eficiente të energjisë do të vazhdojnë edhe në institucione tjera në tërë Kosovën

Prishtinë, 08.10.2018 - Nga sot, ndërtesa e Administratës dhe Hemodializës në Spitalin e Gjakovës është bërë me masa të efiçiencës së energjisë. Kjo falë investimit të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, përmes kredisë së Bankës Botërore për Projektin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë dhe Energji të Ripërtritshme.

Në ceremoninë inauguruese të këtij projekti morën pjesë Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, Menaxheri i Bankës Botërore për Kosovën, Marco Mantovanelli, dhe përfaqësues të Spitalit të Gjakovës.

“Jemi këtu bashkërisht që të shohim punimet dhe përurimin e projektit. Ky projekt ka për qëllim që të gjitha objektet qendrore të bëhen efiçiente. Deri në fund të projektit parashihet të implementohen projekte renovuese në rreth 140 ndërtesa publike në tërë Kosovën. Me këto projekte do të evitohet emetimi i dioksidit të karbonit”, u shpreh Ministri Lluka.

Ndër të tjera, Ministri Lluka theksoi se Ligji për Efiçiencë të Energjisë është dërguar në Kuvend, i cili parasheh krijimin e një fondi 10 milionë euro, që do të ndihmojë në efiçiencë të energjisë. Po ashtu të gjitha institucionet të tjera lokale si dhe ato qendrore do të bëhen efiçiente. Gjakova e ka një rëndësi të veçantë pasi shërben edhe për komunën e Bajram Currit dhe të Hasit.

I pari i MZHE-së, tha se Ministria që ai drejton do të vazhdojë të përkrahë projekte të këtilla pasi që Efiçienca e Energjisë është një ndër prioritet kryesore për MZHE-në, por edhe për zhvillimin ekonomik të vendit, krijimin ambientit të pastër dhe gjenerimin e vendeve të punës.

Ndërsa, Drejtori i Bankës Botërore për Kosovë, Marco Mantovanelli tha se me ministrin Lluka implementimi i këtyre masave të efiçiencës së energjisë ka filluar vitin e kaluar në Prishtinë, por tani do të vazhdoj edhe në qytete tjera të Kosovës.

“Banka Botërore po e ndihmon Kosovën në renovimin e ndërtesave publike në kuadër të zbatimit të masave të efiçiencës së energjisë, ku deri në fund të projektit do të renovohen 100 objekte, kostoja e të cilave është rreth 30 milionë dollarë”.

Ndërsa, drejtori i Spitalit të Gjakovës, Ahmet Asllani, u shpreh i kënaqur me investimet që janë bërë në ndërtesat e Spitalit të Gjakovës. Ai derisa prezantoi investimet e bëra këtë vit, tha se viti 2018 shënon vitin e sukseseve të mëdha në këtë spital që nga paslufta.

“Këtë vit spitali ka qenë kantiere ndërtimi. Së pari është invenstuar në administratë dhe në hemodializë, e së shpejti do të fillojmë edhe në ndërtesat e ambulancave specialistike”.

Renovimi i kësaj ndërtese është realizuar në kuadër të pakos prej 20 ndërtesave publike/qeveritare të kontraktuar në vlerë prej 3.4 mil€, e cila kontratë pritet të përfundoj në fund të muajit tetor.

KOSOVO IN UNESCO