Lluka prezanton para afaristëve nga diaspora sektorët me potencial për investime

Prishtinë, 18.10.2018 - Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Vladrin Lluka, mori pjesë në takimin, i cili po mbahet në kuadër të Javës me Bizneset e Diasporës,  të cilën e organizoi Ministria e Diasporës dhe e Investimeve Strategjike, me ç’rast u diskuta për mundësitë që afaristët nga diaspora të investojnë në Kosovë.

Lluka ishte pjesë e panelit së bashku me ministrin Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, ministrin e Tregtisë edhe Industrisë, Endrit Shala, zv.ministri i Financave, Fatmir Gashi si dhe kryetari i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Austri, Yll Blakaj.

Gjatë fjalimit të tij, ministri Lluka i informoi bizneset dhe investitorët e pranishëm për disa prej mundësive potenciale për investime si në sektorin Energjetik, të Teknologjisë Informative dhe Komunikimit si dhe atë të Minierave.

“Dua ti ftoj të gjithë bizneset dhe investitorët e interesuar të cilët gjenden këtu, që përmes ligjit për investime strategjike të investojnë në sektorin energjetik pasi që tani kemi hapur të gjitha licencat dhe ato do të jepen në formë të ankandit. Ju ftoj që të investoni në sektorin TIK pasi që ne synojmë që të hapim qendra të reja të inovacionit dhe të teknologjisë, si dhe në sektorin minerar”, u shpreh ministri Lluka.

Ministri Lluka, gjithashtu tha se Ministria që ai drejton po përkujdeset në mënyrë të veçantë për investitorët e huaj, që atyre t’iu lehtësohen procedurat legjislative dhe të kenë mundësi më lehtë të investojnë në fushat që mbulon MZHE-ja, por edhe në sektor të tjerë.

Në takimin e Javës me Bizneset e Diasporës, Ministri Lluka u shpreh i gatshëm që të bashkëpunoj me të gjithë ata investitorë që duan të investojnë në Kosovë, me theks të veçantë për sektorët që janë në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.  

KOSOVO IN UNESCO