Lluka: Prioritet, ndërtimi i TC ‘Kosova e Re’ me kosto sa më të ultë

Prishtinë, 30.11.2017 - Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka deklaruar se ndër prioritet e tij është përfundimi i termocentralit “Kosova e Re”, por me një kosto sa më të ulët, ngase kosto e tij, ndikon direkt në koston e gjenerimit të energjisë, rrjedhimisht në rritjen e tarifave finale.

Këto komente kreu i MZHE-së i bëri sot në konferencën ndërkombëtare për zhvillim të qëndrueshëm, e cila në fokus kishte politikat e Kosovës për energji dhe ato mjedisore, si dhe në qasjet për avancimin e një agjende për zhvillim të qëndrueshëm të harmonizuar me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, të organizuar nga Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID.


“Momentin që kam ardhur në MZHE, gjëja e parë që kam kërkuar është rishikimi i kushteve të kontratës aktuale, të marrëveshjes sipas të cilës mendohet të zbatohet projekti për termocentralin ‘Kosova e Re’”, tha ai.

Ministri Lluka tha se projekti është relativisht i shtrenjtë, por i domosdoshëm për sigurinë nacionale të furnizimit me energji, duke pas parasysh problemet e panumërta dhe faktin që  termocentralet aktuale janë ndotës të ambientit.

Sipas tij, një termocentral si ‘Kosova e Re’, është i domosdoshëm, por jo me çdo kusht apo me çdo kosto. “Ne  po mundohemi ta bëjmë atë termocentral më të mirë dhe më të lirë. Ne do ta qojmë përpara termocentralin ‘Kosova e Re’, por jo me kosto të lartë”, tha Lluka.

Ministri tha me tej se janë duke punuar në disa detaje dhe ato janë kushtet më të mira të kontratës për është duke u negociuar. “Gjithashtu jemi duke diskutuar që në këtë projekt të përdoret teknologjia ‘ultra subcritical’ që është një teknologji efiçiente dhe në këtë kapacitet që ka 450 MW do t’i plotësojë të gjitha standardet e nevojshme”, tha ai.

I pari i MZHE-së nënvizoi se kur masat e lartpërmendura i shtohet edhe mbyllja e ‘TC Kosovës A’ që është ndotësi i madh dhe rehabilitimi i tërësishëm  i ‘TC Kosovës B’, Kosova nuk do ta ketë asnjë problem me ndotjet nga termocentralet.

Duke folur për energjinë alternative, Ministri Lluka tha se 50-70 megavat do të shtohen në energji solare, pasi që ka mjaftueshëm. Ndërsa ritheksoi se primare është të kemi siguri të energjisë, furnizim stabil dhe treg të përbashkët me Shqipërinë për optimizimin e prodhimit të energjisë.

KOSOVO IN UNESCO