Lluka: Prizreni do të jetë pjesë e projekteve zhvillimore

Prishtinë, 16.10.2018 - Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka pritur në takim pune kryetarin e Prizrenit, Mytaher Haskuka. Ai ka siguruar kreun e komunës, se Prizreni do të jetë pjesë e projekteve strategjike zhvillimore të cilat do të ndikojnë direkt në mirëqenien e qytetarëve të Prizrenit.

Lluka dhe Haskuka kanë diskutuar për projektet që lidhen drejtpërdrejt me shërbimet për qytetarët si ai për trajtimin e mbeturinave, përmirësimin e furnizimit me ujë të pijes, trajtimin e ujrave të zeza, ngrohtoren e qytetit, parkun e Biznesit dhe parkun për Inovacion dhe Trajnime. “Ne po punojmë intenzivisht që të mbulojmë me ngrohtore qendrore qytetin e Prizrenit. Kjo jo vetëm që përmirëson ajrin dhe stabilitetin energjetik në komunën tuaj, por dukshëm përmirëson kualitetin e jetës për qytetarët e Prizrenit. Kemi në fokus përmirësimin e rrjetit të ujësjellësit në të gjitha fshatrat e komnuës suaj si dhe realizimin e projektit për trajtimin e ujërave të zeza”, njoftoi ministri Lluka.

Ministri Lluka i ka ofruar mbështetje për projektet strategjike të komunës, siç është ai për zonën ekonomike të Prizrenit.
 
Haskuka, kërkoi mbështetje nga ministri Lluka për realizimin e projektit të Parkut të Biznesit. “Për komunën tonë është jetike funksionalizimi i projekt për krijimin e Parkut të Biznesit, i cili ende nuk është finalizuar si shkak i procedurave administrative”, tha Haskuka.
 
Me këtë rast, kreu i MZHE-së tha se do të angazhohet personalisht në përshpejtimin e procedurave administrative që ky park të jetësohet sa më parë.
 
Gjithashtu, Lluka foli edhe për qendrën e Inovacionit duke ofruar përkrahje në realizimin e këtij projekti, ku do të kenë qasje të rinjtë për të zhvilluar shkathtësitë inovative.
“Kjo qendër ka për qëllim ndërtimin e kapaciteteve njerëzore duke trajnuar dhe promovuar punën e të rinjëve brenda dhe jashtë Kosovës, si dhe krijimin e hapësirës për zhvilluar shkathtësitë inovative, duke krijuar vende pune për të rinjtë” tha Lluka
 
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka falënderoi Ministrin Lluka për mbështetje në realizimin e projekteve që do të ndikojnë drejtpërsëdrejti në jetën e qytetarëve.
 

njoftim-per-diskutim-publik

KOSOVO IN UNESCO