Lluka: Rinia potenciali kryesor i zhvillimit ekonomik të vendit

Prishtinë, 02.12.2017 - Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, mori pjesë në Festivalin Çmimi i Rinisë Evropiane (European Youth Award – EYA) një konkurs pan-Evropian për të rinjtë, sipërmarrësit dhe inovuesit evropianë që krijojnë projekte dixhitale me synimin për të përmirësuar shoqërinë, që u mbajt në Graz të Austrisë, ku ndau çmimin kryesor të këtij eventi.

Me këtë rast, Ministri Lluka foli për rininë e Kosovës dhe potencialin që e ka për të qenë shtylla kryesore e ekonomisë së vendit në të ardhmen. “Kemi një popullatë shumë të re që është bekim për vendin, por edhe obligim që të gjejmë mekanizma për t’i mbajtur të edukuar dhe të angazhuar me punë”, tha ai.

Kreu i MZHE-së u ndal te projekti që është në zhvillim e sipër, për të cilin do të investohen 60 milionë euro, ku 80 për qind shkojnë në infrastrukturë duke e mbuluar 98 për qind të territorit të Kosovës me fibër optik për të siguruar qasje të shpejtë të internetit në të gjitha fshatrat, shkollat e spitalet në Kosovë dhe pjesa e mbetur (12 milionë) do të shpenzohen në ndërtim të kapaciteteve njerëzore duke trajnuar dhe promovuar punën e të rinjve brenda dhe jashtë Kosovës.

Ministri Lluka gjithashtu theksoi se institucionet kudo në Evropë kanë obligim 3 gjëra: 1. Të investojnë në infrastrukturë dhe të heqin të gjitha barrierat për të rinjtë, 2. Të investojnë në edukim dhe të sigurohen që sistemet e edukimit janë të bazuara në kërkesat e tregut si dhe 3. Të krijojnë fonde dhe platforma që përkrahin ide inovative edhe më shumë.
Ministri Lluka në kuadër të EYA ka ndarë çmimin kryesor, që fitoi projekti ‘Erase all the kitties’, që ka për qëllim edukimin në programim të fëmijëve nga 8 deri 12 vjeç përmes lojërave.

Gjithashtu në këtë festival, ishte një fituese nga Kosova, Egzona Hoxha, në kategorinë ‘Qasja në publik’, me një aplikacion për personat me nevoja të veçanta, ku mund të shohin cilat objekte, trotuare apo rrugë janë të përgatitura për këtë kategori të personave!

Në kuadër të kësaj vizite, Ministri u  takua me Deputetin e ri të Parlamentit Evropian dhe mikun e Kosovës, z. Lukas Mandl si dhe zëvendës presidentin e Internet Corporation for Assigned Names and Numbers (ICANN), z. Nigel Hickson, me të cilin biseduan për Domainin e Republikës së Kosovës.

Ndryshe, EYA Festaival zhvillohet nën patronatin Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës Thorbjorn Jagland, ndërsa Organizohet nga Qendra Ndërkombëtare për Media të Reja, një organizatë jofitimprurëse me seli në Salzburg - Austri.

KOSOVO IN UNESCO