Lluka vlerëson rritjen e të hyrave në Telekomin e Kosovës

Prishtinë, 18.09.2018 - Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka është shprehur i kënaqur me rritjen e të hyrave në Telekomin e Kosovës. Këto komente ai i bëri gjatë vizitës që i bëri sot kësaj kompanie, me ç’rast u prit nga kryeshefin ekzekutiv, Gent Begollin dhe Bordi Drejtues i kësaj kompanie.

Qëllimi i vizitës së Ministrit Lluka ishte të njoftohet nga afër me gjendjen aktuale në Telekom. “Jam këtu sot për të përgëzuar Kryeshefin Gent Begolli për punën e nisur dhe për punën e bërë dhe njëkohësisht për t'u njohur me zhvillimet, planet dhe strategjinë e re të menaxhmentit të ri të Telekomit të Kosovës”, tha ai duke u shprehur i kënaqur me trendin e të hyrave në muajt e fundit.

I pari i MZHE-së, potencoi se nuk do të lejojë që të ketë gradime të punëtorëve pa meritë në Telekom dhe shtoi se Ministria e Zhvillimit Ekomomik është duke punuar vazhdimisht që të rritet performanca në ndërmarrjet publike.

Nga ana tij, kryeshefi i Telekomit të Kosovës, Gent Begolli, tha se ka njoftuar ministrin për gjendjen në Telekom, e po ashtu edhe për rritjen e të hyrave në dy muajt e fundit në kompaninë që drejton.

Ndërkaq, sa i përket problemeve me të cilat po ballafaqohet Posta e Kosovës, Ministri Lluka theksoi se për të zgjidhur problemin e saj, duhet të ketë forma të tjera, për të siguruar shërbim të vetë qëndrueshëm, ku njëra nga këto forma është dhënia e disa shërbimeve postare të institucioneve shtetërore që kryhen nga kompanitë private.

Sipas tij, nga këto shërbime Postës do t’i rriten të hyrat me rreth 2 milionë euro në vit. “Jemi në diskutim me Postën që t’i fusim disa shërbime të institucioneve shtetërore të ndryshme të bëhen përmes Postës, siç është p.sh. shpërndarja e skemave sociale. Janë diku rreth 20 skema sociale, dy prej tyre shpërndahen përmes postës, ka mundësi që të ketë shumë më tepër. Janë disa ndërlikime ligjore të cilat së bashku me Ministrinë e Punës jemi duke shikuar për gjetjen e një zgjidhje”, përfundoi Lluka.

Ndryshe, vizita e Ministrit Lluka në Telekom hyn në vazhdën e takimeve që ministri zhvillon me drejtues të NP-ve, në kuadër të angazhimit të tij për rritjen e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve.

njoftim-per-diskutim-publik

KOSOVO IN UNESCO