Mbahet seminari dy ditor për Sigurinë Kibernetike në Kosovë

Prishtinë, 21.11.2019 - Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) në bashkëpunim me Bankën Botërore në Kosovë, Agjencinë e Koresë për Internet dhe Siguri (KISA), Qendra Globale për Zhvillim të Sigurisë Kibernetike (GCCD) si dhe financuar nga Korea - World Bank Group Partnership Facility (KWPF),  kanë organizuar seminarin dy ditor mbi Sigurinë Kibernetike me temë “Politikat dhe Korniza e Sigurisë Kibernetike Nacionale”.

Ky Seminar është pjesë e procesit të Ri-vlerësimit të Modelit të Maturitetit të Sigurisë Kibernetike (CMM) që është mbajtur me 16-18 Korrik 2019.

Ekspertët nga KISA elaboruan në mënyrë mjaftë të qartë aspekte të ndryshme të incidenteve në hapësirën kibernetike duke filluar nga masat preventive, analizat, vlerësimet, aksionet që duhet ndërmarr, dhe deri te niveli i komunikimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në çështjet e sigurisë kibernetike.

Qasja ndaj sigurisë kibernetike u trajtua në disa dimensione si: politikat dhe strategjitë, shoqëria dhe kultura kibernetike, edukimi e trajnimi, korniza ligjore e rregullatore, si dhe teknologjitë e standardet.

Në përgjithësi prezantimet ishin shumë informuese dhe të dobishme për akterët nga vendi ynë të cilët patën mundësinë që të dëgjojnë nga ekspertë me përvojë të madhe në këtë fushë, për rreziqet dhe sulmet me të cilat është përballur Korea, si dhe për qasjen e tanishme ndaj potencialit në rritje të sulmeve kibernetike. Infrastruktura mjaft e zhvilluar “kritike” me të cilën disponon Republika e Koresë, dhe zhvillimi I hovshëm i ICT-së në këtë vend, e bën shembull të mirë mësimi.

Në seminar nga përfaqësuesit e MZHE-së gjithashtu u prezantua gjendja  në vend nga aspekti i sigurisë kibernetike, shikuar nga këndvështrimi ligjor, rregullator dhe praktik ku u theksua se Kosova duhet ta marrë me seriozitet çështjen e sigurisë kibernetike duke mësuar nga përvojat më të mira globale për të përgatitur një bazë ligjore të qëndrueshme dhe aplikuar masat rregullative të duhura për kontekstin kosovar.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, konsideron se sjellja e praktikave dhe eksperiencave të reja në Kosovë është me rëndësi të veçantë për ngritjen e kapaciteteve dhe forcimin e  sigurisë kibernetike. Prandaj, besojmë se ngjarje sikurse ky seminar mund të hapin mundësi të reja për përmirësime dhe politika të reja mbi sigurinë e hapësirës kibernetike. Në përfundim, dy palët u pajtuan për të vazhduar dhe thelluar më tutje bashkëpunimin i cili është me interes të përbashkët.

Ndër të tjera, KISA shquhet për aktivitetet e saja si; reagimi ndaj incidenteve kibernetike, mbrojtja e të dhënave personale, promovimi i industrisë së mbrojtjes së informacionit dhe infrastruktura e Internetit.
njoftim-per-diskutim-publik

KOSOVO IN UNESCO