Ministrat Lluka e Ismaili vizitojnë QKUK-në, 5.5 milionë euro për masat e efiçiencës së energjisë në objektet publike

Prishtinë, 24.08.2019 - Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili kanë zhvilluar një vizitë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për të parë investimet që janë bërë dhe që janë duke u bërë nga Qeveria e Kosovës, në kuadër të Projektit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë dhe Energji të Ripërtëritshme, projekt ky i mbështetur nga Banka Botërore.

Ministri Lluka u shpreh i kënaqur me investimet që janë bërë në renovimin e ndërtesave në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), si në kliniken e gjinekologjisë, të stomatologjisë, në atë të ORL-së dhe klinika tjera.
“Pjesa kryesore e projektit përfshin investimet kapitale në renovimin e ndërtesave te sektorit shëndetësisë në Kosovë me qëllim nxitjen e kursimit të energjisë si dhe përmirësimin e komforit te brendshëm. Në kuadër të investimeve kapitale që kanë të bëjnë me renovimin e ndërtesave spitalore, prej fillimit të implementimit të projektit deri me tani janë identifikuar 60 ndërtesa për ndërmarrjen e masave për efiçiencë të energjisë”, tha Lluka.

Po ashtu kreu i MZHE-së bëri të ditur se prej fillimit të këtij projekti e deri më tani janë përfunduar 40 ndërtesa, ku janë përfshirë ndërrimi dritareve të vjetra me dritare efiçiente, izolimi termik i mureve dhe kulmeve, instalimi i paneleve solare për ujin e ngrohtë, si dhe zëvendësimi i kaldajave me lëndë djegëse fosile me kaldaja me biomasë.

“40 ndërtesat e renovuara me dritare të reja, izolime adekuate, ndriçim optimal, fasada të reja dhe panele solare kapin vlerën e investimit prej 5.5 milionë eurove,  mirëpo investime të tilla sa i përket Projektit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë do të vazhdojnë edhe në të ardhmen”, u shpreh ministri Lluka.

Ndërkaq ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili tha se investimet e bëra nëpër spitalet tona do të vazhdojnë deri në shndërrimin e tyre në objekte të denja për shërbime të shëndetësisë.
“Janë 3.5 milionë euro që janë investuar vetëm në QKUK, në 16 klinika për t’i transformuar ato në klinika më të dinjitetshme për shërbime mjekësore. Pacientët dhe profesionistët shëndetësorë do të kenë kushte më të mira. Së shpejti do të nis edhe faza e tretë e cila përfshinë edhe klinikat tjera të mbetura dhe kështu QKUK do të kompletohet në tërësi”, ka thënë ministri Ismaili. 

Ndryshe në kuadër të Projektit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë dhe Energji të Ripërtëritshme deri më tani janë përfunduar 100 ndërtesa publike, si në nivelin qendror po ashtu edhe në atë lokal, spitale, universitete, shkolla etj.

njoftim-per-diskutim-publik

KOSOVO IN UNESCO