Ministri Kuçi pret shoqërinë civile dhe banorët e Deçanit për çështjen e hidrocentraleve

 

Prishtinë, 21.09.2020 - Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi ka pritur sot në një takim përfaqësuesit e disa organizatave të shoqërisë civile dhe banorët e zonës së Deçanit.

 

Ky delegacion paraqiti para ministrit Kuçi shqetësimet e tyre në lidhje me punimet dhe gjendjen që është krijuar në Grykë të Deçanit, si pasojë e ndërtimit të hidrocentraleve.

 

Ministri Blerim Kuçi dëgjoi të gjitha shqetësimet dhe kërkesat, duke ju premtuar që gjithçka që është në kundërshtim me ligjin nuk do të lejohet të ndodhë. Për këtë ai falenderoi edhe këtë grup për angazhimin e tyre, duke treguar gjithashtu se ka nevojë për monitorim më të rreptë në këtë fushë.

 

“Shqetësimi juaj është i qartë, sikur jam i qartë edhe unë me atë se do ta zbatoj ligjin në secilin hap. Çështja e hidrocentraleve në Deçan nuk ka filluar as sot e as dje, por shumë më herët. Tash jemi përball një procesi që kërkon një zgjidhje të drejtë. Ajo që mund të them, është se monitorimi dhe kontrolli duhet të jetë më i rreptë”, ka thënë ndër të tjera ministri Kuçi.

 

Të gjitha kërkesat e këtij delegacioni janë evidentuar nga kabineti i ministrit dhe është dorëzuar kërkesa e shkruar që do të marrë vëmendjen e duhur.

 

Kërkesë e ministri Kuçi ndaj këtij grupi ishte që mos të reshtin së ngrituri zërin kur shohin se po shkelet ligji dhe të drejtat.

 

“Zëri i arsyeshëm i banorëve dhe shoqërisë civile me kërkesa të realizueshme dhe përkushtimi i institucioneve janë mjetet që na dërgojnë në hapa të sigurtë. Gjithmonë do të jem i hapur për shoqërinë civile, pasi ata shohin pak më thellë se sipërfaqësisht. Kjo më duhet edhe mua si ministër në një digaster që ka shumë punë dhe shumë të kaluara”, shtoi ministri Kuçi.

 

Pjesë e takimit ishte edhe zëvendësministri Muharrem Nitaj dhe drejtorët e digastereve përkatëse në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit.
njoftim-per-diskutim-publik

KOSOVO IN UNESCO