Ministri Lluka stimulon pjesëmarrjen e vajzave në TIK

Prishtinë, 26.04.2019 - Me mbështetje të  Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, është mbajtur edicioni i radhës i “Vajzat në TIK”, që ka për qëllim përkrahjen e vajzave në Teknologjinë Informative.

Me këtë rast Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në fjalën e tij përshëndetëse duke   shpalosur projektet e MZhE në fushën e teknologjisë informative tha se vajzat e këtij vendi  për t’u angazhuar  më shumë në këtë sektor duhet të krijohet infrastruktura dhe pastaj motivimi.

Për sa i përket infrastrukturës, ministri Lluka, tha se është duke u implementuar projekti Kosovo Digital Economy (KODE) dhe së shpejti do të filloj projekti për ngritje të shkathtësive në TIK.

“Projekti KODE kap shifrën  prej 30 milionë euro dhe parasheh që të gjitha fshatrat e Kosovës, shkollat, spitalet dhe institucione të ndryshme të furnizohen me kabllo me fibra optik. Gjithashtu, një projekt tjetër që përmirëson infrastrukturën e TIK në Kosovë është projekti për ngritje të shkathtësive në TIK, e cila fillon implementimin në Qershor të këtij viti dhe një pjesë të madhe e ka për qëllim ngritjen e aftësive tek vajzat ”, tha Ministri  Lluka.

Ndërsa, për sa i përket motivimit të vajzave që të ndjekin karierrë në teknologjinë informative, ministri Lluka, tha se në 70 shkolla të mesme janë krijuar qendra kreative dhe së shpejti do të krijohen edhe në shkollat fillore.

“Në mënyrë që t’i motivojmë vajzat në TIK ne kemi krijuar qendra kreative në 70 nga 104 shkolla të mesme në gjithë Kosovën, ku nxënësit do të kenë mundësi të qasen në printer 3D, në pajisje teknologjike dhe trajnime të ndryshme në programim. Këtë vit ky projekt do të vazhdojë edhe në 20 shkolla fillore”, u shpreh ministri Lluka.

Ministri Lluka gjithashtu tha se TIK është sektor ku ka bilanc të mirë në mes dy gjinive.

njoftim-per-diskutim-publik

KOSOVO IN UNESCO