Ministri Lluka takohet me Ambasadorin e SHBA-ve Philip Kosnett

Prishtinë, 07.02.2019 - Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, priti në takim njoftues Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip S. Kosnett, i cili ishte i shoqëruar nga Lori Michaelson dhe William Trigg, me të cilin diskutuan rreth zhvillimeve në sektorët të cilat i mbulon Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Ministri Lluka e falënderoi ambasadorin Kosnett për vizitën dhe e informoi rreth zhvillimeve në sektorin energjetik, me theks të veçantë në termocentralin “Kosova e Re”, si dhe në sektorët e minierave dhe të teknologjisë informative.

“Prioritet i ministrisë së zhvillimit ekonomik është që deri në vitin 2023 të mbyllet termocentrali “Kosova A”, të rehabilitohet termocentrali “Kosova B” si dhe të fillohet me prodhimin e energjisë nga termocentrali “Kosova e Re”, tha ministri Lluka. “Kjo, do të përmirësoi ambientin në Kosovë duke zvogëluar dukshëm emitimet e ndotëseve si dhe do të krijoj stabilitet në prodhim të energjisë, duke përmirësuar furnizimin edhe për bizneset vendore” shtoi Lluka.

Si pikë e rëndësishme e këtij takimi ishte edhe sektori minerar, ku kreu i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik e njoftoi ambasadorin amerikan rreth rëndësisë së këtij sektori në zhvillimin ekonomik të vendit. Fokusi i kësaj teme padyshim që ishte Trepça dhe zhvillimi i Trepcës si dhe 11 zonat me interes të veçantë që kanë potencial për të tërhequr investime amerikane në Kosovë.

Gjithashtu u diskutua edhe rreth dikastereve tjera të cilat mbulon Ministria e Zhvillimit Ekonomik, si ndërmarrjet publike, përformanca e tyre dhe sfidat në të cilat po kalojnë ato.

Ambassadori Kosnett ofroi përkrahje në përpjekjet e Kosovës dhe ministrisë për zgjërimin dhe stabilizimin e furnizimit të Kosovës me energji elektrike, si dhe riafirmoi përkushtimin e ambasadës amerikane për projektin e termocentralit Kosova e Re.

Në fund, ministri Lluka falënderoi ambasadorin amerikan Philip Kosnett për vizitën dhe tha se është i hapur dhe i gatshëm për çfarëdo bashkëpunimi mes ministrisë së zhvillimit ekonomik dhe ambasadës amerikane.
 

njoftim-per-diskutim-publik

KOSOVO IN UNESCO