MZHE synon krijimin e një klime të favorshme për zhvillimin e biznesit vendor

Prishtinë, 21.09.2017 - Përmirësimi i mjedisit për biznesin vendor dhe adresimi i të gjitha shqetësimeve që kanë do të jenë çështje që MZHE do t’i trajtojë me prioritet, kështu ka thënë Ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka, gjatë  takimeve të ndara që ka zhvilluar sot me kreun e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gerxhaliu, Drejtorin e Bordit të  Odës së Afarizmit të Kosovës, Skender Krasniqi dhe koordinatorin e Biznes Forumit në Prizren,  Levent Bush.

Me këtë rast ministri Lluka ka siguruar krerët e OEK, OAK dhe BFP se bashkëpunimi i ngushtë i MZHE-së me odat ekonomike dhe forumet biznesore do vazhdojë, në mënyrë që biznesi të jetë pjesë aktive e politikë bërjes, promovimit dhe krijimit të një mjedisi të përshtatëm për zhvillimin e tij.

Më tej, Ministri Lluka  ka njoftuar krerët e dy odave me projektet e MZHE-së, e veçanërisht ato në sektorët strategjikë, siç janë energjia dhe minierat, që vlerësohen, duke nënvizuar se sektori duhet të jetë promotor i zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në vend.

I pari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu ka shtruar nevojën e rishikimit të kushteve kontraktuale sa i përket projektit të TC Kosova e Re, i cili vlerësohet ndër investimet më të mëdha të huaja direkte që do të ketë ndikim në zhvillimin ekonomik.

Ndërkaq, gjatë takimit me organizatorët e Biznes Forumit në Prizren është diskutuar për organizimin e IV me radhë të  Panairit Ndërkombëtar në Prizren, ku do të zhvillohen takimet e biznesmenëve B2B me qëllim të arritjes së marrëveshjeve dypalëshe për projekte të përbashkëta.

Nga ana e tyre krerët e OEK-ut, OAK-it dhe BFP-së kanë uruar ministrin Lluka për zgjedhjen e tij në pozitë të ministrit të MZHE, duke  ofruar atij mbështetje të plotë në rrugëtimin e tij drejt një zhvillimi ekonomik të vendit.

KOSOVO IN UNESCO