Sqarim rreth dorëheqjes së ish menaxherit të Trepçës

Prishtinë, 12.03. 2018 - Fillimisht na lejoni të sqarojmë për opinionin, që mandati i drejtorit të Trepça Sh.A. ka përfunduar me datën 5 shkurt 2018, andaj, cilado letër “dorëheqje”, është tendencioze, jo e sinqertë dhe nuk krijon pasoja juridike.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik është e obliguar që të respektoj afatet dhe dispozitat ligjore për gjithë secilin udhëheqës të cilës do ndërmarrje publike, pra edhe për ish-Menaxherin e Trepça Sh.A. z.Ahmet Tmava.

Po ashtu, dëshirojmë të potencojmë  se që nga marrja e mandatit  Ministri Lluka  në muajin Shtator 2017 ka qenë i angazhuar me të gjitha kapacitetet dhe ka trajtuar me prioritet çështjet që kanë të bëjnë me funksionimin dhe administrimin e Trepça Sh.A. si rezultat jemi në fazën përfundimtare të përzgjedhjes së anëtareve të Bordit Mbikëqyrës, të cilët janë të vetmit me kompetencë ekskluzive për përzgjedhjen e stafit menaxherial si dhe marrjes së vendimeve strategjike dhe në interes të ndërmarrjes.

Me datën 28 shkurt 2018, ministri Lluka ka pranuar një kërkesë nga ana e ish-menaxherit të Trepça Sh.A. z.Ahmet Tmava, për qasje në bankë, të cilën e ka refuzuar, duke pasur në konsideratë që kërkesa si e tillë është jo e ligjshme dhe e parashtruar nga një ish-menaxher, të cilit i ka përfunduar mandati.

Në këtë drejtim, si dhe duke marrë parasysh interesin e punëtorëve dhe në përgjithësi të afarizmit të ndërmarrjes ka kërkuar që autorizimi për të operuar me paranë e ndërmarrjes të bartet tek personat kompetentë, në përputhje me aktet ligjore në fuqi si dhe praktikën e deritanishme.

Pretendimet për ndërhyrje të çfarëdo lloji janë të pabaza dhe qartësisht kanë për qëllim keq-informimin e opinionit publik e mbi të gjitha arsyetimin e veprimeve të njëanshme të ish-menaxherit z.Tmava, i cili pa kurrfarë njoftimi paraprak tek aksionari (në këtë rast Ministria e Zhvillimit Ekonomik), vendos të marrë pjesë në aktivitete, të cilat implikojnë shpenzime financiare për ndërmarrjen e të cilat janë në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi.

KOSOVO IN UNESCO