Lluka takon Komisioneren Evropiane, Mariya Gabriel, kërkon mbështetje për agjendën dixhitale të Kosovës

Prishtinë, 19.04.2018 - Në kuadër të Samitit Dixhital për Ballkanin që po mbahet në Shkup, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka takuar Komisioneren Evropiane për Ekonomi Dixhitale dhe Shoqëri, Mariya Gabriel, me të cilën ka diskutuar për politikat që është duke i ndërmarrë Qeveria e Kosovës për të fuqizuar transformimin dixhital.

Me këtë rast, Ministri Lluka ka kërkuar përkrahje nga Komisionerja Gabriel për fonde shtesë në projekte të reja që kanë të bëjnë me dixhitalizimin industrial, transformimin dixhital tek ndërmarrjet e vogla dhe të mesme si dhe edukimin e fëmijëve në këtë fushë.

Një temë tepër me rëndësi që u diskutua gjatë këtij takime ishte përfshirja e Kosovës në marrëveshjen e roamingut me të gjitha vendet e Ballkanit, gjë që do të realizohet.

Ndryshe, në kuadër të Samitit Dixhital për Ballkanin Perëndimor, Lluka ishte pjesë në panelin e parë me temë Aftësitë Dixhitale (Digital Skills) ku është diskutuar për rëndësinë e sektorit në zhvillim ekonomik të vendit, ku prezantoi projektin që është para lansimit për shtrirjen e rrjetit brezgjerë përmes Bankës Botërore.

Gjithashtu, kreu i MZHE-së ka vizituar edhe ekspozitën/panairin e kompanive nga sektori i teknologjisë informative, në të cilën po marrin pjesë edhe kompani nga hapësira shqiptare.
Ministri Lluka është shprehur i kënaqur me prezencë të madhe të kompanive dhe ekspertëve nga Kosova, të cilët kanë mundësuar që Kosova të jetë lider në rajon në fushën e teknologjisë informative.

njoftim-per-diskutim-publik

KOSOVO IN UNESCO